Ishte 14 tetori i vitit 2011. Endri Betaj doli atë mëngjes nga shtëpia pas një telefonate, për të mos u kthyer më kurrë i gjallë.
Bashkëshortja e tij Y. kishte pak ditë që sapo kishte mbushur 20 vjeçe, djali i vetëm L., ishte vetëm një foshnje 3 muajsh.
Për shkak të rrethanave, mund të konsiderohet një nga krimet më të rënda të dekadës së fundit në Shqipëri.
Endri Betaj, 33 vjeç, u qëllua për vdekje brenda në Gjykatën e Lezhës, ku kishte shkuar për të asistuar në një proces gjyqësor.
Një proces ku 33 vjeçari nuk ishte as palë.
Megjithëse një nga ngjarjet më të bujshme në vend, as Y. as familjarët e bashkëshortit të saj nuk kanë dalë në media as në kohën e vrasjes e as më vonë.
Ata kanë 4 vjet që presin drejtësi, por nuk ka një të dënuar, apo një autor për këtë krim me shumë dëshmitarë, përfshirë personelin e Gjykatës.
4 vjet pas ngjarjes dhe pritjes së gjatë besimi i Y. duket i thyer, shkruan Opinon.al.
“Nuk kam dashur të dal në media, pasi kjo çështje duhej të mbyllej nga drejtësia. Rrethanat kanë qenë flagrante. Është absurde që për një ngjarje që ka ndodhur brenda një institucioni drejtësie të mos bëhet drejtësi. Por koha kalon, dhe jo vetëm drejtësi nuk u bë, por unë dhe djali im L., jemi të rrezikuarit e radhës…” – thotë ajo.
Edhe pse e re në moshë kur ndodhi krimi, e vetme dhe me një fëmijë të vogël, me ndihmën e familjes së saj, Y. tentoi dhe gjeti forcën të riniste jetën. Energjinë mbi të gjitha ia jepte prania e djalit…
Ditët e para pas krimit kanë qenë të rënda, thuajse të papërballueshme. E mbetur vetëm me djalin e saj 3 muajsh, i duhej të udhëtonte shpesh nga Tirana për në Lezhë për të ndjekur nga afër ecurinë e procesit.
“E kuptova që në fillim që i gjithë procesi po manipulohej. Në atë kohë kam kërkuar ndërrimin e prokurorit të çështjes me një letër drejtuar Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe, Ina Rama. Sipas meje ai vetë ka zhdukur prova të ngjarjes”.
Në fakt Prokurori liroi tre nga të akuzuarit për atë ngjarje, pikërisht me këtë motivacion: Mungesë provash.
Atë që nisi Prokuroria e mbaroi Gjykata. Një vit e gjysmë pas ngjarjes, Gjykata e Laçit shpalli të pafajshëm edhe Dritan Lorencin dhe Alban Dedën, dy të arrestuarit e tjerë për vrasjen e 33-vjeçarit.
Dritan Lorenci ka qenë polic rrugor në momentin e ngjarjes.
Këtu rrethanat e ngjarjes bëhen shumë të rënda.
“Dëshmitarë në vendngjarje na thanë ne familjarëve të viktimës që polici në fjalë i ka dalë përpara Endrit gjatë rrëmujës në Gjykatë. Duke parë që ishte polic, bashkëshorti im është dorëzuar sepse nuk ishte lidhje me procesin gjyqësor as me sherrin që shpërtheu në sallë mes palëve…” – thotë Y.
Endri nuk e dinte që polici në fjalë ishte bashkëshort i sekretares së Gjykatës dhe kjo e fundit ishte motra e personit palë në atë proces.
Atë që ndodhi më pas, gjyqi nuk e sqaroi.
Por sipas materialeve gjyqësore, vrasja e Endri Betajt është bërë kur ai ka qenë në prangat e policit të cilit iu dorëzua. Dhe sipas raportit mjeko-ligjor, shkaku i vdekjes është shtrëngimi në fyt dhe mbytja.
Gjatë procesit, Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin përkatësisht me 18 vite burg për policin rrugor Lorenci dhe 15 vite për të arrestuarin tjetër Alban Deda të akuzuar për vrasje në bashkëpunim të 33-vjeçarit Bejtja.





