Një qytetare e Durrësit është kafshuar pasditen e sotme nga një qen në shëtitoren “Taulantia”.
Në rrëfimin e saj, gruaja tregon se ishte duke shëtitur bashkë me një familjare kur është kafshuar në këmbë nga një qen rruge.
Ndërsa falenderon stafin e një lokali aty pranë që i erdhi në ndihmë, qytetarja ngre shqetësimin se tashmë do t’i duhet të bëjë edhe gjilpërën e tetanozit, për të mos rrezikuar prekjen nga tërbimi.
Ajo i kërkon strukturave shtetërore të ndërhyjnë, pasi numri i qenve të rrugës është shtuar ndjeshëm.
“Më shumë ka qen në shëtitore, sesa njerëz”,- thotë qytetarja. Ndërkohë, një tjetër banore e Durrësit ngre shqetësimin se tufat e qenve mund të sulmojnë edhe ndonjë fëmijë, të cilët shëtisin në shëtitore bashkë me prindërit e tyre.
Jo më larg se një ditë më parë, DurrësLajm publikoi një tjetër video, ku shfaqeshin qentë e rrugës në grumbuj të mëdhenj në sheshin “Liria”.
Vaksinimi, kastrimi dhe përkujdesja ndaj këtyre kafshëve prej disa vitesh realizohet nga shoqata “JETA Tier und Mensch”. Shoqata operon me donacione të njerëzve që i kanë shumë përzemër katërputroshët.
Shpesh kjo shoqatë ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë me bashkinë, të cilët e akuzon se përveç vendit që u ka dhënë për të ngritur strehëzën në Shkozet (e cila është përmbytur disa herë), nuk i ka mbështetur me fonde.





