Një aksident ka ndodhur te rruga e Spitalit Rajonal të Vlorës gjatë ditës së sotme.

Mësohet se një automjet i paidentifikuar me ngjyrë jeshile, teksa ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi të lartë, ka aksidentuar një grua me iniciale V.H, rreth 60-vjeçe.

Mësohet se shtetasja ka qenë duke kaluar rrugën dhe shoferi i mjetit, menjëherë pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë e lënduara është trasportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia po vijon ekspertizën dhe do të marrë kamerat e sigurisë për të identifikuar mjetin dhe drejtuesin e tij.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 09:40, në rrugën “Ali Demi”, një automjet me drejtues ende të paidentifikuar, ka aksidentuar shtetasen V. H., rreth 60 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.