Ditën e sotme në ambientet e Sallës së Mbledhjeve Plenare të Kuvendit nga ora 11:30-15:00 do të mbahen homazhet në nder të mjekes se njohur nga Durrësi, Rushen Golemit, ish-deputete e Partisë Demokratike.

Në një postim në Facebook, deputeti demokrat Tritan Shehu ka dhënë lajmin e hidhur, teksa shkruan se mjekja Golemi ishte një kirurge e shquar, humane dhe e paepur.

Dr. Rusheni, nje mjeke e rralle, e pa perseritshme ndoshta, por dhe nje zemer e madhe qe rrahu per Demokraci e Perendim. Deputete e PD e zgjedhur me 1992, atehere kur duhej permbysja e te lindte liria”, shkruan ndër të tjera deputeti Shehu.

Rushen Golemi u nda nga jeta ditën e djeshme në moshë 83-vjeçare.

Për Rushenin është realizuar edhe një dokumentar në vitet ‘70-‘80, si kirurgia e parë femër në Shqipëri, ndërsa ka qenë dalluar për aktivitete sportive, sidomos në volejboll dhe atletikë.

Rushen Golemi do të ishte ndër të parat studente të degës së mjekësisë. Ajo iu përkushtua profesionit të mjekes kirurge dhe operacionin e parë e ka kryer në vitin e katërt të fakultetit.

Në vitet ’90 ajo u angazhua në politikë dhe u zgjodh deputete e PD-së në vitin 1992. Rushen Golemi ishte nëna e tri fëmijëve, e dy binjakeve Inis dhe Iris, si dhe e djalit Konstandin, ndërsa ka 7 nipër e mbesa.