Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shpalli të mërkurën vendimin e shkarkimit nga detyra për prokuroren e Tiranës, Alketa Zifla.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 14 qershor, Komisioni konstatoi përfitimin e një kredie të butë nga Bashkia e Fierit, ndërkohë që kishte vendosur mosfillimin e hetimit mbi zyrtarët lokalë që akuzoheshin për shpëdorim detyre në ndarjen e banesave sociale.

Gjithashtu KPK evidentoi kryerjen e veprimeve fiktive për përfitimin e kredisë, për të cilat prokurorja Zifla tha se kanë qenë të diktuara nga kushtet financiare dhe për strehimin e fëmijëve.

Me ngjitjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme në dhjetor 2017, Zifla u emërua shefe e kabinetit.

Pas largimit të Markut, ajo u rikthye në Prokurorinë e Tiranës.

Procesi i vetingut për Ziflën u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen.