Fier, 22 korrik 2014 – Krimi brenda familjes trondit opinionin publik mëngjesin e sotëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të kësaj të marte, në fshatin Suk të komunës Strungë të Fierit.
Bajram Vrapi, 73 vjeç ka hyrë në banesën e vëllait të tij dhe ka qëlluar me armë gjahu ndaj pjesëtarëve të familjes, duke lënë të vdekur në vend, dy vëllezërit, Xhemal dhe Besim Vrapi 79 dhe 60 vjeç, kunatën e tij me inicialet D.V 43 vjeç dhe mbesën minorene me inicialet M.V vetëm 17 vjeç. Më pas Bajram Vrapi ka vrarë dhe veten.
Sipas informacioneve paraprake në lidhje me këtë ngjarje tragjike, dyshohet se autori të ketë qenë kundër fejesës së mbesës së tij 17-vjeçare.
Fqinjët kanë njoftuar uniformat blu për këtë ngjarje tragjike, ndërsa në banesë policia gjeti të pajetë 4 pjesëtarët e familjes Vrapi, vëllezërit Xhemal dhe Besim Vrapi, kunatën dhe 17-vjeçaren. Pas krimit makabër sutori ishte larguar nga banesa dhe kanë qenë banorët ata të cilët i kanë treguar policisë së Fierit për drejtimin që ai kishte marrë.
Autori është rrethuar nga policía në një arë misri në afërsi të banesës dhe pas thirrjes së policisë për t’u vetëdorëzuar ai është vetëvrarë me armën e gjahut që qëlloi për vdekje 4 pjesëtarët e familjes së tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





