Dhunimi i 25-vjeçares Xhisiela Maloku, banuese në Fushë-Krujë, nga ish i dashuri, Rexhep Rraja, djali i deputetit të qarkut të Durrësit Rrahman Rraja u kthye në temën kryesore të debateve politike dhe atyre në studiot televizive për mëse një javë me rradhë.
Por ende pa u shuar jehona e këtij lajmi, të ndodhur në muajin korrik, por të risjellë në vëmendjen e publikut pas intervistës nga arratia të nënkomisarit Emiljano Nuhu, një tjetër dhunim i rëndë regjistrohet në po të njëjtën zonë.
Shtetasja M.B. banuese në Fushë-Krujë është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ish-vjehrri dhe dy kunetërit, përkatësisht shtetasit I.D., G.D., dhe F.D., vjeç 79, 41 dhe 38, banues në Fushë Krujë.
Policia bën të ditur në njoftimin e saj për shtyp se ka plotësuar kërkesë padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për këtë shtetase, ndërsa materialet i ka kaluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Krujë. Pavarësisht ndarjes me bashkëshortin e saj, shtetasja M.B. duket se nuk i ka shpëtuar dhunës nga njerëzit e tij të afërt.
Ndërkohë, në harkun e 24-orëve të fundit janë dhunuar në qarkun e Durrësit edhe 3 femra të tjera. Dy prej tyre janë dhunuar nga bashkëshortët, ndërsa një tjetër nga djali i ish-bashkëshortit.
Njoftimi i policisë:
- Më datë 04.10.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen M.B., banuese në Fushë Krujë, pasi ish-vjehrri dhe kunetërit, shtetasit I.D., G.D., dhe F.D., vjeç 79, 41 dhe 38, banues në Fushë Krujë, kanë ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë. Ligji Nr. 9669, datë 18.12.2006. ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
- Më datë 04.10.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen L.P., vjeçe 36, banuese në Durrës, pasi bashkëshorti, shtetasi D.P., vjeç 43, banues në Durrës, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006. ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
- Më datë 04.10.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, për shtetasen M.B., vjeçe 71, banuese në Xhafzotaj, pasi bashkëshorti, shtetasi Sh.B., vjeç 43, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006. ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
- Më datë 04.10.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen L.U., vjeçe 46, banuese në Kullë, pasi djali i ish-bashkëshortit E.Q., vjeç 26, banues në Kullë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr 9669 datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.





