41-vjeçari nga Durrësi, Ilir Troplini, i cili ishte shpallur në kërkim në akuzën e “Vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”, është kapur në portin e Durrësit.
Sipas burimeve nga policia, Troplini ka qenë duke udhëtuar nga Shqipëria për në Itali, me tragetin e linjës Durrës-Bari, por gjatë kontrollit të kryer në sistem rezultoi se ai ishte person në kërkim.
Ai akuzohet për ngjarjen e ndodhur 4 ditë më parë në fshatin Kazizaj të Kavajës, ku në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë tentuar të vjedhin kosheret e bletëve në pronësi të shtetasit H.D.
Arjan Troplini 31 vjeç, banues në Romanat dhe Fabion Remilli, 24 vjeç, banues në Hardhishte, u arrestuan, ndërsa 41-vjeçari mundi të largohej. Të tre autorët janë konfliktuar me pronarin e koshereve të bletëve, të cilin edhe e kanë goditur me sende të forta dhe më pas janë larguar.
Troplini iu dorëzua efektivëve të Komisariatit të Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme.