Autoritet greke kanë kaptuar dhe arrestuar në Selanik 32-vjeçarin shqiptar, Adriatik Xhini, i cili kërkohej në Sarandë për trafik droge.

Xhini u shpall në kërkim më 1 prill 2019 pas sekuestrimit të një çante me 22 kilogramë marijuanë në kufirin shqiptaro – grek, në vendin e quajtur “Likojani” në Konispol.

Gjatë atij operacioni u arrestuan dy transportues nga Berzhita e Tiranës dhe Polisi i Librazhdit, ndërsa u shpall në kërkim Xhini dhe shtetasi D. A.

Xhini rezulton të jetë arrestuar edhe në vitin 2018 nga policia e Sarandës ne kuadër të operacionit “Transferimi” ku ranë në pranga 4 persona pas gjetjes së 7 dozave kokainë dhe dyshimeve se ky grup kishte lidhje me një sasi prej 18 kg marijuanë të gjetur në Ksamil, por ishte liruar më pas nga Gjykata e Sarandës.

Xhini ka qenë më parë i dënuar nga Gjykata e Sarandës në vitet 2013 dhe 2014 me 13 muaj burg për “kundërshtim i punonjësit të policisë”, “plagosje e lehtë me dashje”, “shkatërrim prone”, “drejtim mjeti pa patentë”, ndërkohë që gjatë arrestimit në 2015-n si i kërkuar për këtë dënim, iu gjet edhe një dorezë metalike.