Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sulmet e 11 shtatorit përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Kurti ka rrëfyer se kur ndodhi sulmi terrorist ai gjendej në burgun serb, i cili sipas tij, ushtoi nga thirrjet dhe ekzaltimet e gardianëve.

Kreu i qeverisë kosovare shkruan se nga një pasdite e zymtë burgu, 11 shtatori i vitit 2001 u shndërrua në ditë të zezë.

POSTIMI I PLOTË

I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo.

Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork. Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001.

I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar.

Këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive.

Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan.

Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës.