Është shoqëruar paraditen e sotme për në banesën e fundit efektivi i policisë së Durrësit Arben Pjeçi, i cili një ditë më parë i dha fund jetës duke u vetëvrarë brenda në komisariat.

Familjarë dhe miq të të ndjerit, por edhe shumë efektivë të policisë së Durrësit ishin mbledhur sot para banesës së Pjeçit, në lagjen nr.11, për t’i dhënë lamtumirën e fundit 56-vjeçarit, që prej 30 vitesh ishte pjesë e Policisë së Shtetit.

Dhimbja ishte e madhe mes miqve dhe kolegëve.

“Ishte çun me sedër, çun me shkollë e me kulturë. U çuditëm kur e dëgjuam ngjarjen”.

“E kam pasur mik shtëpie, ishte njeri shumë i mirë, njeri i rregullt dhe i ndershëm”,– ishin këto disa nga konsideratat që të njohurit e tij kishin për 56-vjeçarin Pjeçi.

Nënkomisari i Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi u gjet nga kolegët e tij rreth orës 16:15, të së enjtes në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, i vetëvrarë, me armën e shërbimit.

Pjeçi ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”. Vendimi i gjyqësorit nuk është pritur mirë nga 56-vjeçari dhe në kushte depresioni për penalitetet që sillte me vete ky vendim i formës së prerë që ndërpriste marrëdhënien e punës me Policinë e Shtetit, ai zgjodhi të ndërmerrte aktin ekstrem.

M.B.