Me dhjetëra qytetarë durrsakë dhe personalitete të njohura të jetës politike dhe publike i dhanë lamtumirën e fundit kryetarit të parë të bashkisë Durrës pas viteve 90, Tomorr Golemit.
Për ata që kanë punuar pranë tij përgjatë viteve 92-96, Golemi mbetet shembulli i kryetarit model.
“Një nga burrat më të mirë dhe kryetari më i mirë i bashkisë nga të gjithë kryetarët deri më sot”,– thotë për “DurrësLajm” ish-sekretari i Këshillit të Qarkut në atë kohë, Ermir Keçi.
Golemi ka qenë ndër figurat kryesore të PD Durrës në ato vite të para të krijimit të degës lokale. Nënkryetari i partisë, Oerd Bylykbashi e kujton kështu kontributin e dhënë nga Tomorr Golemi, si një pushtetar dhe qytetar, që transmetonte vlerat më të mira humane.
“Tomorr Golemi është një figurë që qëndron në altarin e qytetarisë durrsake, jo vetëm si një mësues i dedikuar për edukimin e brezave, por ajo për të cilën do ta kujtojnë durrsakët është se ka qenë kryetari i parë i zgjedhur me votë të lirë i bashkisë Durrës. E kreu mandatin e tij me sukses. Ishte mandati i parë i pushtetarit të zgjedhur nga PD. E përfaqësoi në mënyrë dinjitoze PD-në në detyrën e kryebashkiakut, kryeqytetarit të Durrësit duke përçuar ato vlera qytetarie dhe intelektuale me të cilat ishte brumosur ai dhe familja e tij”,– tha Bylykbashi.
Në vitet e regjimit komunist, Tomorr Golemi punoi si mësues letërsie në shkollat e Durrësit, ndërsa në vitin 1992 ai ishte kryetari i parë i bashkisë i zgjedhur me votë në zgjedhjet e para lokale demokratike.
M.B.





