Ish-zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili ishte i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia.

Sipas mediave maqedonase, Grubi u paraqit në orët e para të mëngjesit vullnetarisht pranë pikës kufitare Bllacë me Kosovën dhe se ndaj tij menjëherë u ndërmorën masat ligjore.

Sipas policisë, Grubi u paraqit në hyrje të Maqedonisë së Veriut rreth orës 06:10 dhe u ndalua menjëherë nga autoritetet.

Ai është dërguar pranë autoriteteve për procedura të mëtejshme, ndërsa autoritetet nuk dhanë detaje shtesë mbi fazën aktuale të procedimit penal.

Grubi është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për shpërdorim të detyrës, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.