Inspektori i AKU-së në qytetin e Fierit, i cili akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, është arrestuar ditën e sotme.

Ky person ishte shpallur në kërkim nga policia pas masës së sigurisë së “Arrest me burg” të dhënë nga gjykata, pasi dyshohet se ka abuzuar me detyrën gjatë kontrollit të ushtruar në një biznes.

Njoftimi i plotë i policisë:

Vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bë ndalimi për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” për punonjësin e AKU Fier, shtetasin e shpallur në kërkim policor M. K., 48 vjeç, banues në Fier.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendimin e datës 18.11.2021 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, masë ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i dokumenteve” për shtetasen D. S., 33 vjeçe, banuese në Fier.

Të dy këta shtetas, me detyrë inspektorë terreni pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Dega Rajonale e Qarkut Fier, dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin, me veprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën gjatë kontrollit të ushtruar në datat 13.09.2021 dhe 14.09.2021 në subjektin e shtetasit E. M.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.