Një 45-vjeçare që ishte zhdukur në Arizona, kur ishte vetëm 13-vjeçe është gjetur pas 32 vitesh. Christina Marie Plant ishte parë për herë të fundit në Star Valley, në verilindje të Phoenix, më 16 maj 1994.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje për mënyrën se si u bë i mundur zbulimi i saj, por thanë se teknologjia ka ndihmuar në gjetjen e të dhënave të reja. Ende nuk është e qartë ku apo kur u gjet Christina.
Në vitin 1994, Christina kishte dalë nga shtëpia për të parë kalin e saj në një stallë. Në atë kohë, autoritetet shpërndanë fletëpalosje me fotografinë e saj, duke treguar se kishte veshur një bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra shumëngjyrëshe dhe atlete të zeza. Zhdukja e saj u përshkrua si “e dyshimtë”, dhe autoritetet paralajmëruan se ajo ishte “në rrezik”.
“Christina ishte e regjistruar në bazat e të dhënave kombëtare për fëmijët e zhdukur, dhe fletëpalosje me fotografinë e saj u shpërndanë në nivel lokal, në të gjithë shtetin dhe më gjerë”, tha zyra e sherifit, sipas New York Post.
Gjatë viteve, hetuesit vazhduan rishikimin e provave dhe kërkimin e informacionit të ri. “Pas 32 vitesh, Christina Marie Plant është gjetur gjallë”, shtoi deklarata e autoriteteve.
Megjithatë, ata nuk do të publikojnë detaje të mëtejshme për rastin “në respekt të privatësisë dhe mirëqenies së Cristinës”.






