Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka ndëshkuar me gjobë 7 subjekte të tregtimit me shumicë e pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike.
Vlera totale e masave administrative arrin mbi 2 050 000 lekë për këto subjekte vetëm gjatë janarit.
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial evidentoi se 7 subjektet ushtronin veprimtarinë e tyre jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe teknike. Po ashtu kishin mungesë të dokumentacionit tekniko – ligjor në stacionin e shitjes së karburantit, mungesë dokumentacioni lidhur me kontratat e furnizimi apo mungesa projekteve teknike.
Gjatë 2021, ky Inspektorat ndëshkoi 69 subjekte, me një vlerë totale gjobash prej 29,16 milionë lekë. Shumë prej subjekteve janë penalizuar, pasi nuk kanë plotësuar në kohë detyrat e lëna nga inspektorët.
Gjithashtu pjesë e penalizimeve me gjobë janë edhe subjektet që tregtojnë karburant jashtë normave të lejuara, pasi konstatohet se ka shmangie në parametrat cilësorë për produktin që ata tregtojnë.