Nga Gjergj Thanasi

Durrës, 30 mars 2014 – Në gusht 2013 marinsat britanikë zhvilluan manovra në bregdetin e Jonit dhe në ishullin e Sazanit. Manovra “Albanian Lion” zhvillohet çdo vit me pjesëmarrjen e rreth 3 000 trupave. Këtë vit manovrat përfshinin edhe simulimin e një zbarkimi nga deti nën zjarrin e armikut në ishullin e Sazanit. Më pas marinsat mbretëror për 11 orë “spastruan” një kompleks banesash, kazermash dhe tunelesh të kohës së luftës së ftohtë, që më parë shërbenin si strehim për garnizonin shqiptar të ishullit. Pikërisht gjatë këtij “spastrimi”, dhjetëra marinsa britanikë u sëmurën në mënyrë misterioze raporton Daily Mail në një shkrim të saj.

Gjatë këtyre 11 orëve jo më pak se 30 marinsa u sëmurën rëndë. Besohet se shkaku i kësaj patologjie ishte ekspozimi ndaj efekteve të armëve kimike të llojit të gazit mustard, i njohur edhe si Iprit apo agjenti Blister. Një marins dëshmon se djemtë ishin në agoni. Lëkura te duart dhe krahët u bë e kuqe flakë e më pas u mbush me fllucka. Së paku një marins pati probleme të rënda frymëmarrjeje. Personeli mjekësor i trajtoi marinsat, të cilët ndonëse u shëruan përsëri mbeten të shqetësuar për veten dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Marina mbretërore britanike zyrtarisht e pohoi faktin, që marinsat manifestuan të tilla simptoma, por ajo pretendon se patologjia nuk u shkaktua nga Ipriti, por nga ekspozimi i marinsave ndaj aromave toksike të një bime të quajtur latinisht “Heracleum mantegazzianum” (ne foton poshte), e cila shkakton simptoma të ngjashme me Ipritin. Tashmë marinsat nuk manifestojnë më asnjë shenjë të kësaj patologjie.

Zëdhënësi i Marinës mbretërore britanike theksoi për Daily Mail se “nuk kemi planifikuar asnjë aktivitet të mëtejshëm stërvitor të marinsave në ishullin e Sazanit”.

Është detyrë e Ministrisë së mbrojtjes të Shqipërisë, që për efekt transparence të informojë publikun shqiptar të paktën po aq sa ka informuar publikun anglez zëdhënësi i Marinës mbretërore britanike. Media e kreu detyrën e saj tani i mbetet dikasterit të Kodhelit të bëjë detyrën ndaj taksapaguesve shqiptarë.

 

Shënim

Në artikullin e gazetës ka edhe pasaktësi. Fjala vjen në gazetë shkruhet, që trupat sovjetike u larguan gradualisht nga Shqipëria në vitet tetëdhjetë, gjë që nuk është e vërtetë, sepse sovjetikët u larguan nga Shqipëria në vitin 1961. Në artikull shkruhet që rusët kishin ndërtuar në ishullin e Sazanit një fabrikë armësh kimike. Faktikisht nuk ka pasur asnjë fabrikë apo laborator për prodhimin e armëve kimike në ishullin e Sazanit.

Realisht në ishullin e Sazanit, në vitet e regjimit komunist kanë qenë dislokuar municione tymuese dhe ndriçuese (Bengala) në formën e granatave të dorës tymuese, kutive tymuese si edhe predhave ndriçuese për mortaja dhe artileri. Gjatë stërvitjeve të ndryshme në ishull janë përdorur municione kimike mësimore si granata me gaz Klorpikrinë dhe granata me Iprit mësimor, me lëndë aktive në sasi të vogël. Të tilla municione konsiderohen si tërësisht të asgjësuara nga ushtria shqiptare, të ndihmuar me fonde dhe ekspertizë nga Zvicra.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/