Pak orë pas tragjedisë së ndodhur në Las Vegas, nëpër rrjetet sociale disa llogari, që mendohet se janë të afërta me ISIS-in publikuan një lajm, që autoritetet amerikane e mohojnë.

Sipas këtij lajmi, Stephen Paddock ishte konvertuar në mysliman para disa muajsh.
Kjo u përhap me shpejtësi nga mediat amerikane, aq sa detyruan autoritetet vendase që të dalin me një deklaratë e të njoftojnë me bindje se autori i masakrës që la 58 të vdekur dhe 200 të plagosur nuk ka lidhje me ekstremizmin islamik.
“Nuk ka asnjë të dhënë, asnjë fakt a provë që të lidhë vrasësin e Las Vegasit me grupe terroriste ndërkombëtare”,thanë autoritetet amerikane.
Ndërkohë, Hillary Clinton, pasi shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave u kërkoi amerikanëve që të gjejnë forcë dhe të kundërshtojnë ligjet për armëmbajtjen. 
“Dhimbja është e madhe! Duhet ta lemë menjanë politikën dhe të marrim qëndrim të qartë kundër Shoqatës Kombëtare të Armëve dhe të punojmë së bashku për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen”,u shpreh ish-Sekretarja e Shtetit.
Shoqata e Armëve, ose NRA (National Rifle Association) është lobuesja kryesore dhe tejet e fuqishme kundër shtrëngimit të ligjeve për armëmbajtjen.