12korrik 2015 – Alarm se do të ketë një sulm terrorist duke helmuar banorët e Ferizajt vjen nga Kosova. Pjesëtarë të ISIS dyshohet se do të veprojnë, duke hedhur helm në ujësjellësin e qytetit me qëllim helmimin masiv të banorëve.

Zyrtarë të kompanisë së ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj kanë treguar për gazetën Fjala në kushte anonimiteti, se janë kërcënuar që gjatë muajit të Ramazanit mund të helmohet uji i pijes.

“Menjëherë ka ardh policia dhe po e ruajnë fabrikën e ujit në fshatin Pleshinë edhe drejtorinë në qytet. Kanë thënë se gjatë ramazanit kanë me sulmu”, tregon ky zyrtar duke përmendur se kërcënimi vjen nga persona që organet e rendit u kanë thënë të jenë të grupit terrorist ISIS.

Këtë e pohojnë edhe punëtorët që kujdesen për pastrimin e ujit nga katër burimet të cilat i furnizojnë mbi 100 mijë banorë të kësaj komune.

Madje ata kanë kërkuar nga menaxhmenti i kompanisë që bashkë me organet e sigurisë të gjejnë forma për t’u lejuar bartjen e armëve në vendin e punës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/