Megjithëse shumë faqe propagandistike në mbështetje të organizatës terroriste ISIS që flisnin në shqip janë mbyllur nga autoritetet e sigurisë në vend, një faqe e re është hapur.

Halal Channel quhet faqja që është duke shpërndarë propagandën e saj në shqip nëpërmjet rrjetit social Facebook dhe që hapur mbështet të ashtuquajturin “Shtet Islamik”. Nga ana tjetër nuk dihet nëse autoritetet shqiptare kanë dijeni dhe po hetojnë mbi këtë faqe dhe njerëzit që e kanë ngritur.

Ajo që është më shqetësuesja kjo faqe që veten e quan medium, publikon informacione të ndryshme rreth ISIS, duke keqpërdorur ajetet Kuranore dhe duke shpërndarë video që nxisin urrejtje.

Më tej kjo faqe jep mbështetje edhe për imamet radikal shqiptarë që janë të dënuar nga gjykatat në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, duke u lutur që këta hoxhallarë të lirohen sa më shpejt.

Ata nuk ndalen më kaq ata hapur shprehin se në Kosovë organizata terroriste ISIS ka mbështetës të saj. Objekt i fyerjeve dhe nxitjes urrejtës mes njerëzve janë edhe hoxhallarë e gazetarë të cilët janë kundër terrorizmit.

Ata akuzojnë edhe mediat se po i manipulojnë me masën. Në njërën nga postimet e tyre ata tregojnë se nuk janë të vetmit që përkrahin ISIS-in.