1 Tetor 2014 – Janë të paktën pesëdhjetë. Të rinj. Të rekrutuar dhe të indoktrinuar shpesh përmes internetit. Ata vijnë nga qytetet e veriut sidomos Breshia (Brescia),Torino, Ravenna, Padova, Bolonja dhe disa qytete të vogla në Veneto. Gjithashtu dhe nga Roma e Napoli. Pjesa më e madhe, të paktën 80 % e tyre janë italianë të  konvertuar në islam kohët e fundit. Një e papritur kjo për të gjithë. Por ka edhe fëmijë emigrantësh të brezit të dytë. Të gjithë janë aktualisht në mes të Sirisë dhe Irakut, të gatshëm të sakrifikojnë veten e tyre për xhihadin apo luftën e shenjtë. Janë me dhjetëra "foreign fighters", luftëtarë të huaj italianë të rekrutuar nga radhët e terrorizmit Isis (Shtetit Islam të Irakut dhe Levant) flitet kudo në mediat italiane.
"Luftëtarët e huaj" nga hetimet e kryera deri më tani, janë të gjithë shumë të rinj, të grupmoshës 18 – 25 vjeç. Ata janë kryesisht meshkuj. 
Nuk ka asnjë lajm për prezencë femrash të nisura nga Italia për të luftuar. Të rinjtë janë konvertuar  xhihadistë besimtarë në shumicën e rasteve, përmes internetit.  Indoktrinimi ndodh me teknika të shpejta dhe të përhapura,të cilat brenda një kohe të shkurtër I nxisin këta djem që të ndërmarrin hapin vendimtar për të shkuar në këto teatro lufte. Teknika të fuqishme manipuluese psikologjike, të marra nga përvoja në Pakistan, në kampet e trajnimit të kamikazëve të rinj. Kur bëhen gati, të rekrutuarit e Isis mund të mbështeten tek oficerët e kontaktit që organizojnë udhëtimet e tyre, shpesh pa kthim. Siç ndodhi me një duzinë djemsh që  lanë Italinë dhe gjetën vdekjen  Siri.