Institucionet shëndetësore private, në skemën e sigurimeve

Institucionet shëndetësore private të akredituara do të jenë ato që do të përfshihen në skemën e re të sigurimeve. Ndërkohë, paketa e shërbimeve që do të ofrohet nga privatët do të jetë me çmime më të lira për pacientët dhe sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, aktualisht, priten disa akte nënligjore për të përcaktuar se cilat do të jenë këto shërbime. ISKSH do të jetë menaxhuesi kryesor i skemës, e cila do të shoqërohet me kontrolle më të rrepta ndaj të gjithë subjekteve shëndetësore.

Sipas ligjit të ri të sigurimeve shëndetësore, ISKSH-ja kthehet në Fondin Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore dhe do të mund të blejë dhe të ofrojë shërbime më cilësore, me kosto efektive dhe më të sigurta për qytetarët. Ky ligj, sipas Hanës, bazohet në parimin e solidaritetit, mbrojtjen e të varfërve dhe ka si synim të realizojë mbulimin universal të popullatës për përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. I një rëndësie parësore është krijimi i terrenit të përshtatshëm për funksionimin e ligjit, siç është akreditimi i institucioneve shëndetësore si publike, ashtu edhe private, një proces themelor në përfshirjen e mëtejshme të shërbimeve shëndetësore në skemën e sigurimeve.

Ja si do të menaxhohen shërbimet shëndetësore

Me ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore, instituti do të quhet “FONDI i sigurimit të detyrueshëm për kujdesin shëndetësor” dhe do të menaxhojë financimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. “Për një financim të mirë të shërbimeve shëndetësore, duhet të vazhdojnë investimet për ruajtjen e të dhënave ekzistuese, në mënyrë që të evidentohen të gjitha shërbimet e dhëna për pacientet dhe duhet pasur parasysh që struktura e shpenzimeve të jetë në favor të prevencionit, pasi sjell shkurtim të kostove dhe mbi te gjitha, rrit cilësinë e jetës për pacientet. Fakti që ne kemi një popullsi me të moshuar, nuk është e vetmja arsye pse ne kemi kosto në rritje, por edhe sepse shpesh ngatërrohet nga të gjithë, se shërbimi më i shtrenjtë, është shërbim më i mirë apo sepse, për një shkak apo një tjetër, shërbimet kane filluar te fragmentohen, duke i dhenë më shumë përparësi sasisë dhe jo cilësisë”,- thonë me tej, përfaqësuesit e ISKSH-së.

Për këtë arsye, sipas specialistëve është e një nevoje imediate krijimi i paketave të shërbimeve që parashikohen në këtë ligj. “Këto paketa, do të jenë të mirëpërcaktuara dhe shumë transparente, çka përbën dhe një element të rëndësishëm kundër korrupsionit. Transparenca do të jetë në të gjithë elementët, që nga futja e pacientit në sistem deri tek kostot që paguan fondi për pacientët, në çdo hallkë të sistemit, për çdo lloj shërbimi. Ka nevojë për një përmirësim të modelit të pagesave në spitale dhe dhënien e bonuseve për pacientë të trajtuar e te shëruar – që parashikohet në ligj – duke e vënë theksin dhe promovuar jo me shume trajtime, por më shumë shëndet. Pavarësisht se ligji vë theksin tek sistemi publik shëndetësor, që është dhe pjesa më e rëndësishme e tij, në të lihet hapësirë dhe për shërbimin privat. Kontraktimi me shërbimin privat, do të rrisë mundësitë dhe alternativat e marrjes se shërbimeve shëndetësore nga ana e popullatës, por në shpresojmë që sektori privat, pas akreditimit dhe konsolidimit të tij, të sjellë cilësi të mirë dhe konkurrencë reale në treg”,- u shprehën përfaqësuesit e ISKSH-së.