TIRANE, 22 prill 2013 – Pas zërave në media për një kandidim të mundshëm të Kastriot Islamit në listat e PD-së, Besnik Mustafaj, ish ministër i jashtëm në qeverinë Berisha ka shprehur opinionin e tij lidhur me këtë çështje. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Mustafaj ka deklaruar se  nëse kjo është e vërtetë, kjo do të thotë se PD po kthehet në kosh plehrash.

“Ju drejtohem në këtë rast të gjithë miqve të mi, që janë ndjerë dhe e kanë treguar veten si demokratë para vitit 2005. Dua të sjell në vëmendjen e tyre një thashethem që po qarkullon sikur Berisha do të fusë Kastriot Islamin në listën e kandidatëve për deputetë të PD për Tiranën. Si do të ndjeheshit ju në qoftë se Berisha na kërkon të votojmë për të bërë deputet Islamin? Unë për veten time si demokrat do të ndjehesha shumë keq. I ftoj të gjithë demokratet, që mendojnë si unë, t’i shkruajnë Berishës në faqen e tij FB për t’ia shprehur mendimin qoftë për Kastriot Islamin e qoftë për dy socialistët e tjerë që PS i nxori jashtë vetes si të pavlefshëm. Nuk mund të bëhet kosh plehrash PD, që është partia më e madhe e vendit,” shkruan Mustafaj në Facebook.