Eliminimi i Anglisë në raundin e 1/8-ave të Evropianit, nga surpriza e vërtetë e këtij edicioni që mban emrin e Islandës, ka sjellë edhe pasojat e para. Menjëherë pas disfatës me shifrat 2-1 të pësuar në Nice, Roy Hodgson është dorëhequr nga stoli i përfaqësues së Tre Luanëve. Në konferencën për shtyp në përfundim të sfidës, 68-vjeçari britanik bëri të ditur largimin e tij nga drejtimi i Anglisë.” Jam shumë i zhgënjyer sepse kjo humbje na eliminoi nga kompeticioni. E nisëm Europianin me idenë se do të shkonim larg por edhe pse kishim një skuadër me lojtarë shumë të mirë në përbërje, nuk ishim të aftë të tregonim të gjitha aftësitë tona dhe kjo është e papranueshme. Do të më pëlqente të qëndroja në stolin e Anglisë edhe për dy vite të tjera, por mendoj se ky është momenti i duhur që dikush tjetër të marrë në dorëzim këtë grup futbollistësh. Bëmë ata që mundëm dhe futbollistët nuk mund ti akuzoj për asgjë sepse janë impenjuar maksimalisht deri në sekondat e fundit. Askush nuk ka faj por na duhet ta braktisim këtë turne. Dua ti falenderoj lojtarët për këtë aventurë fantastike”.
Përfundoi në mënyrën më te keqe eksperienca e Roy Hodgson në stolin e Anglisë. Trajneri 68-vjeçar e mori drejtimin e përfaqësueses së Tre Luanëve në vitin 2012, por pasi u eliminua që në fazën e grupeve në Botërorin e Brazilit, erdhi një tjetër skualifikim, ai ndaj Islandës që në raundin e parë me eliminim direkt të Euro 2016. Paraqitja fantastike e Anglisë në eliminatore nuk vlejti për asgjë sepse një vend shumë i vogël si Islanda, kyçi në sirtar ëndrrën e një kombëtareje që prej dekadash nuk po arrin të jetë protagoniste në një kompeticion madhor.





