Kryeministrit islandez Sigmundur David Gunnlaugsson i është kërkuar të japë dorëheqjen pas publikimit të dokumenteve që e lidhin atë me kompani sekrete 'off shore' jashtë vendi për të shmangur taksat. Sigmundur David Gunnlaugsson ka përfituar nga marrëveshja që vendi i tij ka lidhur pas krizës financiare me disa banka, duke qenë kështu në konflikt interesi.
Publikimi i dokumenteve të studios ligjore panameze Mossack Fonseca, të quajtura edhe si "Panama Papers", ka shkatërruar besimin e publikut te lidershipi i tij dhe kjo mund të ketë ndikim edhe tek reputacioni ndërkombëtar i Islandës. Për kët arsye, opozita planifikon të kërkojë votëbesim në parlament për kryeministrin dhe kabinetin e tij qeveritar, dhe për të shkuar më pas në zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, sot në mbrëmje kanë nisur dhe protestat e para. Qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë të mbledhur para parlamentit, në kryeqytetin Reykjavik.
Publikimi i "Panama Papers" ka nxjerrë në dritë tentativa edhe të shumë politikanëve në botë për të fshehur të ardhurat e tyre, dhe kryeministri islandez është i pari që duket se do ta pësojë nga publikimi i fakteve të tilla, të cilat studioja ligjore panameze i pranoi se ishin të vërteta.