Kryeministri islandez Sigmundur David Gunnlaugsson i ka kërkuar presidentit që të shpërndajë parlamentin, pas akuzave se ai ka fshehur miliona dollarë pasuri jashtë vendit. Kryeministri Gunnlaugsson u gjend përballë një presioni gjithnjë e në rritje, pas publikimit të dokumenteve që tregojnë se ai dhe bashkëshortja e tij kanë në pronësi një kompani 'off shore', jashtë Islandës.
Publikimi i dokumenteve të studios ligjore panameze Mossack Fonseca, të quajtura edhe si "Panama Papers", ka shkatërruar besimin e publikut te kryeministri Gunnlaugsson dhe opozita kërkon votëbesim në parlament për të dhe kabinetin e tij qeveritar. Që mbrëmë, në kryeqytetin Reykjavik kanë nisur dhe protestat e para qytetare.
Por, kryeministri Gunnlaugsson, duke i paraprirë një rezultati negativ gjatë votëbesimit në parlament, gjë që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohëshme, ka zgjedhur një rrugë tjetër, duke kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen drejtpërsëdrejti të zgjedhjeve të parakohëshme. Në këtë mënyrë, votëbesimi i tij i është lënë popullit islandez.
Sigmundur David Gunnlaugsson është i pari kryeministër që e pëson nga publikimi i "Panama Papers".