Isli dhe Drini Bejtaga janë dy vëllezër nga Durrësi që po bëjnë histori me Footvolley-n në Itali dhe paralelisht po ngrenë lart edhe emrin e Shqipërisë duke rrëmbyer çmime të rëndësishme në këtë lloj sporti.

Pak i njohur në Shqipëri, por Footvolley do të popullarizohet edhe këtu, e për këtë meritë do të kenë sigurisht vëllezërit Bejtaga.

Me krenari dyshja nga Durrësi njofton se për herë të parë Shqipëria do të marrë pjesë në Kupën Botërore të Footvolley!

Isli-Drini do të jetë skuadra e parë që do të përfaqësojë vendin tonë në Antibes të Francës, nga data 25 deri më 28 korrik 2024.

Shumë shpesh ata janë pjesë e kampionateve të ndryshme që zhvillohen në Europë si në Itali, Spanjë, Zvicër, etj ku kupat e vendeve të para nuk mungojnë në listën e tyre të gjatë të trofeve, teksa Isli konsiderohet nga profesionistët e këtij sporti si një nga lojtarët më të mirë të Footvolley në Europë.

Ata janë shpërngulur që kur ishin fëmijë me familjen e tyre në shtetin italian, dhe asnjëherë nuk i kanë humbur lidhjet me vendin amë. Isli është diplomuar në degën “Arkitekturë” në Universitetin e Bolognas dhe prej një viti punon si Arkitekt, ndërsa Drini sapo është diplomuar këtë vit si Fashion Designer në Universitetin e Venezias, dhe veç profesionit të tyre, një kohë të mirë ia kushtojnë këtij sporti.

Por si nisi aktivizimi në këtë këtë lojë që tanimë nuk mbetet vetëm në kuadrin e pasionit, por në një objektiv parësor dhe që kërkon impenjim e stërvitje të vazhdueshme?

Në një prononcim për “DurrësLajm“, Drini tregon: “Kur ishim të vegjël ne luanim futboll pasi topi për ne ka qenë gjithmonë pasion. Në zonën ku jetojmë në Rimini luhen shumë lojërat e plazhit (beach games) dhe duke parë djemtë më të mëdhenj që luanin, gjithashtu edhe ish-futbollistë, nisëm të luanim edhe ne, derisa arritëm këtu ku jemi sot.”

Por në turneun më të rëndësishëm që ata marrin pjesë nuk zgjodhën të përfaqësojnë Italinë ku e kanë ushtruar dhe përqafuar këtë sport, por zgjodhën pikërisht Shqipërinë dhe Isli na tregon më shumë rreth këtij vendimi, teksa ka edhe një tjetër lajm të bukur:

Isli:Unë kam përfaqësuar disa herë Italinë në Kampionatin Evropian, por ëndrra ime ka qenë gjithmonë të përfaqësoja vendin tim edhe ky rast erdhi pikërisht te kampionati më i rëndësishëm, siç është Botërori.

Do të jetë një kënaqësi e madhe dhe një përgjegjësi e madhe për ne, por ne jemi gati!

Gjithashtu, dua të jap edhe një lajm fantastik që do të organizojmë një turne edhe në Shqipëri. Aktualisht jemi duke punuar fort për të sjellë në Shqipëri lojtarët më të fortë nga Europa dhe shpresojmë edhe nga Brazili. Duam që Shqipëria të njohë këtë sport dhe sidomos që të shohim lojtarët shqiptarë në fushë”.

*Çfarë është Footvolley, një sport jo fort i përqafuar në Shqipëri

Footvolley është një sport që kombinon aspektet e volejbollit të plazhit me ato të një loje futbolli. Footvolley u krijua nga Octavio de Moraes në vitin 1965 në Brazil në plazhin e famshëm Copacabana. Footvolley në thelb është si loja e volejbollit të plazhit, përveçse lojtarët nuk lejohen të përdorin duart e tyre.

/S.L.

/Portali DurrësLajm