Atmosfera te Teuta është pozitive, përtej ndonjë pengu për pikët e lëna në ndeshjet e fundit. Për një nga lojtarët më shumë eksperiencë te Teuta, Isli Hidin, fakti që loja nuk ka munguar është shtyja e duhur për të ruajtur optimizmin.

“Besoj që loja nuk ka munguar, futbolli prandaj është i bukur, humb me skuadrën që mendon se duhet të fitosh dhe fiton me skuadrat më të forta. Çdo ndeshje ka specifikën e saj. 2 pikët që lamë me Skënderbeun na vrasin disi, sepse ishin në epërsi të dy golave. Pavarësisht situatave, kemi edhe ne lojtarët përgjegjësi për këtë barazim.”

Përballja e radhës me kryesuesit e Partizanit, ata që e mbajnë mend me fanellën e Tiranës e kanë të lehtë ta imagjinojnë që Isli Hidi ndjen pak aromën e derbit.

"Partizani është me meritë në krye. Ekipet nuk kanë shumë diferenca, por sigurisht me Partizanin në Tiranë kur të rifillojë kampionati do të jetë e vështirë. Ne do të shkojmë për maksimumin."

Çfarë i ka munguar Teutës në këtë periudhë, golat e sulmuesve, koha që u duhen lojtarëve për t’u integruar apo…?

Mendoj se është më shumë çështje fati. Shpresojmë që fati të jetë me ne.