Revista për letërsi dhe kulturë e Universitetit të Oklahomas ka njoftuar mbrëmjen e së mërkurës së shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë.

Në faqen zyrtare të "Neustadt Prize" thuhet se "Kadare është një romancier, poet, eseist dhe dramaturg shqiptar , i cili ka shkruar disa vepra të mëdha. Ai botoi romanin e tij të parë, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", në vitin 1963. Ka fituar shumë çmime ndërkombëtare dhe vlerësohet nga disa si një nga më të mëdhenjtë e shkrimtarëve bashkëkohorë evropianë. Ai është përmendur shpesh si pretendent për çmimin Nobel në Letërsi".

Çmimi "Neustadt" është i pari çmim ndërkombëtar për letërsinë i kësaj kategorie, që e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara dhe është një nga të paktët çmime ndërkombëtare, për të cilat kanë të drejtë të konkurrojnë njëkohësisht poetë, romancierë, skenaristë dhe dramaturgë. Fituesi i "Neustadt Prize" shpërblehet me 50,000 $ një pendë shqiponje prej argjendi dhe certifikatën e çmimit.