Ismail Kadare, një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, jetoi dhe krijoi nën një nga regjimet më shtypëse në histori. Kritikët gjermanë vlerësojnë veprat e tij dhe analizojnë kompleksitetin e figurës së tij.
Shtypi gjerman i ka kushtuar vëmendje shkrimtarit të famshëm shqiptar, Ismail Kadare, që u nda nga jeta më 1 korrik 2024.
As realist, as socialist
Martin Ebel në Süddeutsche Zeitung vlerëson Kadarenë si një shkrimtar që, megjithëse jetoi nën një nga regjimet më shtypëse totalitare në botë, arriti të krijonte letërsi botërore. Për Ebel “Kadare nuk është as realist, e as socialist.” Kadareja nuk iu nënshtrua kurrë direktivave të komunizmit, shkruan Ebel, duke argumentuar se në veprat e tij “nuk ka kolektiv të bindur në fitore, por individë që dyshojnë, nuk ka të vërteta, por variante.”
Tek “Ura me tri harqe” Ebel e gjen më së miri stilin unik të Kadaresë, por nuk harron të falënderojë edhe përkthyesin Joachim Röhm, i cili i bëri veprat e Kadaresë të lexueshme për publikun gjerman.
Sa i përket pozitës së Kadaresë në periudhën e diktaturës, Ebel tërheq një paralele me Shostakoviçin: “Fati i Kadaresë dhe dënimi që i bëhet atij me lehtësi në Perëndim, na kujtojnë kompozitorin Shostakoviç: i nderuar dhe i përndjekur njëkohësisht nga Stalini. Të dy, si Shostakoviç dhe Kadareja, donin të mbijetonin dhe të punonin. Të dy ia dolën.”
Ambivalenca nuk e zbeh intensitetin letrar
Andreas Platthaus në ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ përqendrohet pikërisht në ambivalencën e figurës së Kadaresë si shkrimtar i njohur në Perëndim që gëzonte mbrojtjen e diktatorit. Ai spekulon se ky qëndrim i Kadaresë në periudhën e diktaturës, por edhe “nacionalizmi i tij i pakontestueshëm që shpesh përmbante dhe elemente islamofobe”, do të jetë bërë shkak se përse Kadaresë nuk iu dha kurrë Çmimi Nobel.
Gjithsesi, as Platthaus nuk e vë në dyshim, se Kadareja ka një vend të padiskutueshëm në letërsinë botërore dhe arrin në përfundimin se personaliteti i tij ambivalent nuk e zbeh aspak as intensitetin letrar të veprave të tij dhe as famën pas vdekjes në Shqipëri dhe në gjithë botën: “Çfarë do të ishte letërsia pa këta njerëz ambivalentë? Në rastin e Ismail Kadaresë tani do ta mësojmë, fatkeqësisht.”
Magjikja pjesë e realitetit
Karl Markus Gauß, në një artikull për të përditshmen zvicerane ‘Neue Zürcher Zeitung’, vlerëson romanin “Kronikë në gur” si një nga veprat më të bukura të Kadaresë. “Romani tregon në mënyrë bindëse se si autori nuk i mbulon me magji realitetet si një metodë të veçantë letrare, por e gjen mrekullinë te vetë realiteti, sepse magjikja për të është pjesë e së përditshmes njerëzore”, shkruan Gauß. Edhe ai lëvdon përkthyesin Joachim Röhm, duke e quajtur “një fat për Kadarenë që kishte gjetur një përkthyes besnik e me fuqi gjuhësore dhe njohës të vendit.”
Kritik është Gauß për përpjekjen e Kadaresë pas rënies së sistemit stalinist për t’u stilizuar si disident, në librin “Pranvera shqiptare”. Por artikullshkruesi distancohet nga një gjykim përgjithësues. “Përfshirja e këtij artisti të rëndësishëm në aparatin totalitar të pushtetit mund të dënohet edhe përtej vdekjes nga ata që vetëkënaqen duke drejtuar gishtin ndaj të gjithëve që kanë jetuar në kushte shumë më të vështira dhe më të rrezikshme – dhe donin të shkruanin. Ismail Kadare ishte padyshim një tregimtar epokal, i cili me atdheun e tij të mallkuar dhe të dashur, Shqipërinë, la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë botërore që për ne ishte Terra incognita.”/DW