Ismail Kadare është vlerësuar me titullin “Kalorës i Madh i Urdhrit të Pleiadës, i Frankofonisë dhe i Dialogut midis Kulturave” nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë.

Ky titull i është dorëzuar bashkëshortes së tij, Helena Kadare.

Në fjalën e saj, Zonja Kadare është shprehur e lumtur që bashkëshorti i saj është vlerësuar me këtë titull teksa ka theksuar se për shkak të pandemisë Covid-19 ai nuk mund të ishte i pranishëm në ceremoni.

“Zonja dhe zotërinj të frankofonisë, jam shumë e nderuar që ndodhem këtu mes jush. Vij këtu në vend të bashkëshortit tim Ismail Kadare që në këtë moment është i lodhur.

Ne të dy së bashku jemi izoluar në breg të detit për shkak të pandemisë dhe kjo gjendje nuk e lejoi të vinte sot këtu. Ai do të ishte shumë i lumtur po të ishte sot këtu në një moment kaq të rëndësishëm.

Faleminderit dhe nga ana ime për këtë dekoratë, për këtë nder që i bëni ju Ismail Kadaresë”, tha Helena Kadare.

 Asambleja Rajonale e Frankofonisë për Evropën u mblodh sot në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.