13korrik 2015 – Ismail Morina-Ballisti tregon në detaje për Digitalb T dhe Dritan Shakohoxhën për natën e 14 tetorit kur lëshoi dronin e famshëm në stadiumin e Beogradit.

Intervista është regjistruar disa muaj më parë, por u publikua vetëm sot, pas vendimit që mori Gjykata e Arbitrazhit duke i dhënë Shqipërisë 3 pikë. Ballisti tha se idenë ia kishte dhënë një italian. “Nuk kisha qëllim të ofendoja serbët, por të bëja diçka elegante”, sqaroi Ballisti. Ai tha se ka dashur që dronin ta lëshojë në fillim të ndeshjes Serbi-Shqipëri, kur të këndohej himni. Për 17 orë thotë se ka pritur, por një person i dehur i krijoi probleme, duke ia shtyrë veprimin kur kishte nisur pjesa e parë. Ndërkohë ai zbulon dhe shumën, prej 7 mijë eurosh që iu desh të harxhonte për të ngritur dronin mbi stadiumin e Beogradit.

Tifozi shqiptar, Ismail Morina-Ballisti, ka folur rreth gjyqit që është hapur në Serbi për të. Ai foli edhe për kërcënimet nga grupet radikale serbe, teksa ka një porosi për të gjithë: “Pushka top ju boftë”.

Gjithsesi, ai nuk dëshiron t’i neglizhojë gjërat. Ai mendon se maksimumi që mund të dënohet është me disa muaj burg për gjestin e tij.

“E vendosa Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin pasi janë figurat më të mëdha të kombit shqiptar”, shtoi Ballisti, duke dhënë shpjegimin mbi dy figurat në flamur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/