Ismail Morina ka kërkuar azil politik në Kroaci. Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij Darko Butigan, i cili thotë se nuk pret një gjykim të drejtë në Serbi, ku mendohet se do të përndiqet politikisht.

Çështja që do të merret në shqyrtim nga Gjykata Supreme mund të zgjasë 2 deri në 3 muaj, ndërsa shqyrtimi i kërkesës për apelim kërkon deri në 10 muaj.

Në ndihmë të Ismail Morinës është vënë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, që ka dërguar nga ana e saj një përfaqësues për të ndjekur rastin.

“Kemi dërguar një person të specializuar në Kroaci, kemi kontaktuar familjarët e Ismail Morinës dhe do të japim asistencën e nevojshme aq sa na e lejon ligji që kjo çështje të mbyllet me sukses”.

Kjo çështje ka përfshirë disa intitucione shtetërore që po përpiqen të shmangin ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi. Ai u arrestua në qershor në Kroaci, ku po kalonte tranzit për t’u kthyer në Shqipëri për vdekjen e babait. Ismail Morina, i njohur ndryshe si “Ballisit”, është personi që ngriti dronin më 14 tetor të 2014 mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri.