Gjykata e Apelit në Torino, të Italisë, ka dënuar me 18 vjet e 4 muaj burg një shqiptar, i cili, në vitin 2011, shkaktoi një aksident rrugor, ku mbetën të vdekur katër të rinj francezë.

Sipas mediave italiane, aksidenti ka ndodhur në vitin 2011 në Provincën e Aleksandrisë, ndërsa 39-vjeçari I. B. po drejtonte makinën në gjendje të dehur. Ai ishte duke drejtuar një makinë të tipit “Audi Q7” dhe, duke qenë i pirë, hyri në autostradë në drejtim të kundërt, duke shkaktuar aksidentin që solli vdekjen e katër francezëve.

Dënimi i kërkuar për shqiptarin ishte 14 vjet burg, por Gjykata e Apelit e dënoi atë me 18 vjet e 4 muaj burg.

Kjo shënoi edhe herën e parë që drejtësia italiane jep një dënim për veprën e re penale, të vrasjes në rrugë. Kjo vepër penale parashikon dënimin e shkaktarëve të një aksidenti me pasojë vdekjen e njerëzve sikur ata të ishin autorët e vrasjes së atyre njerëzve.