DURRËS, 24 shkurt 2014 – Durrsaku Eugert Bici, 30 vjeç, u arrestua nga karabinierët në qytezën e Olbias, provinca e Sasarit në Sardenjë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogave të rënda. Më 17 shkurt 2104 karabinierët sardë arrestuan Silvana Bejkon, 49 vjeçe, dhe bashkëshortin e saj, Durim Bejko, 51 vjeç, sepse gjetën në veturën e tyre rreth 8,9 kg kokainë dhe 9,5 kilogram heroinë (në foto, droga e sekuestruar). Nga hetimet rezultoi se Eugert Bici, i martuar, me një fëmijë, banues në rrugën “Armando Diaz”, në qytezën e Olbias, si edhe miku i tij Elis Pisha, 28 vjeç, lindur në Elbasan, i martuar, ishin drejtuesit e trafikut të drogave të rënda. Droga e sekuestruar kishte një vlerë shitjeje me pakicë mbi pesë milionë euro. Karabinierët sekuestruan edhe një pistoletë të markës “Beretta” subcompakt kalibër 6,35 mm, që mbahej pa leje, 28 000 euro si edhe 2 vetura në pronësi të të arrestuarve. Mbetet i paqartë pozicioni në këtë organizatë i sardit Simone Canu, 25 vjeç, edhe ky i arrestuar nga karabinierët. Bici dhe Pisha ishin miq në FB, gjë që ka ndihmuar autoritetet e Çizmes të zbulonin lidhjet. Meqenëse në FB ka fotografi njerëzish të ndryshëm, “Dyrrah”-u nuk po boton faksimilet e faqeve, por ka “prerë” vetëm fotot e Bicit dhe Pishës.
/gje. th. agjencia lajmeve “Dyrrah”/





