ROME – Një aksident i rëndë në punë ka ndodhur pasditen e të shtunës në lagjen Salino të Tortoretos, në provincën e Teramos. Viktimë ka mbetur emigranti Halim Zherri, 48 vjeç, dora e djathtë e të cilit ka mbetur e shtypur në makinën e ambalazhimit. Zherri, rezident prej vitesh në Sant’Egidio alla Vibrata, është i punësuar nga një ndërmarrje për mbledhjen e diferencuar e mbetjeve.

Ndihma e shpejtë që e ka marrë në vendngjarje, e ka transportuar fillimisht në spitalin e Giulianovas për kurat e para, por menjëherë më pas, për shkak të traumës së rëndë është transferuar në spitalin e Ankonës ku i është nënshtruar operacionit.

Karabinierët e Alba Adriaticas po hetojnë mbi rastin në fjalë për të verifikuar nëse kompania ku punonte Zherri i respektonte ose jo masat e sigurisë në vendin e punës.