DURRËS, 7 shkurt 2014 – Ndërsa vuante një dënim prej 22 vjetësh burg për vrasjen e bashkatdhetarit të vet në vitin 2000, Ardian Hoxha, 42 vjeç, kryen një tjetër krim të rëndë. Më 6 maj 2011 arrin të marrë nga administrata e burgut të “Rebibias” (Romë) leje shpërblyese njëjavore për sjellje të mirë, që ai e shfrytëzon për të bërë një maksi-grabitje. Në këtë datë, në bashkëpunim me një shqiptar tjetër, hynë me armë një argjendari në qytetin e San Benedeto del Trontos (në foto), ku grabitën sende floriri me vlerë 190 000 euro si edhe 7 000 euro kesh. Nëpërmjet portit të Barit u arratis në Greqi, ku falë bashkëpunimit të Interpol Romës me Interpol Athinën, u kap nga policia greke dhe u ekstradua në Itali. I këshilluar nga avokati i tij, Adriani preferoi të kërkojë gjykim të shkurtuar. Më 6 shkurt 2014 gjykata e pranoi kërkesën e grabitësit shqiptar dhe e dënoi me 8 vjet, duke hedhur poshtë kërkesën e avokatëve të Ardianit për 4 vjet burg. Nëse nuk do të kishte bërë këtë grabitje, do ishte liruar nga burgu në vitin 2015 si rezultat i ligjit të ri italian për zbrazjen e burgjeve, njofton portali “Corriere Adriatico”.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





