6 shkurt 2015 –  Policia e qytetit të Ternit pas një pune të gjatë hetimore arriti të neutralizojë një bandë shqiptare me një aktivitet të gjatë e të rrezikshëm. Policia italiane arrestoi 10 anëtarë të bandës, të gjithë nga Miloti dhe rrethinat e tij.  Nga 10 të arrestuarit vetëm njëra është femër, ndërsa të tjerët meshkuj të moshës deri rreth 30 v jec. Prej të arrestuarve 6 janë klandestinë në Itali, ndërsa 4 kanë dokumente të rregullta qëndrimi. Policia nuk ka dhënë emrat e të arrestuarve, por ka bërë publike fotot e 5 prej tyre , 4 meshkujve dhe 1 femre. Arrestimet u kryen, pikërisht kur banda po përgatiste grabitjen e rradhës, që do shoqërohej edhe me rrëmbimin e personit, për ta liruar më pas kundrejt shpërblimit.

Banda akuzohet për më së paku 50 vjedhje dhe grabitje të ndryshme. Policia dyshon se kjo bandë është autore edhe nja 100 vjedhjeve të tjera. Anëtari më i rrezikshëm i bandës një 34 vjecar ka precedentë penalë për tentativë vrasje, që në vitin  2001. Vëllai i njërit prej të arrestuarve u vra në dhjetor 2013 në Breshja me një plumb pushke në kokë nga i zoti i shtëpisë, që po grabiste. Banda dyshohet se për qëllime grabitje ka vrarë edhe zonjën Gabriela Zelli në 13 janar 2015 në Terni.

Krahas vjedhjeve e grabitjeve disa nga anëtart e bandës merreshin edhe me shpërndarje droge. Kësaj bande ju kapën nga karabinieria 5,5 Kg. kanabis në 30 dhjetor 2014. Disa nga anëtarët e bandës  shtonin të ardhurat duke u marrë me shfrytëzim prostitucioni. Banda për të mos u kapur nga policia komunikonte me kod në telefon duke përdorurr një të folme të rëndë nëndialektore.Ata shpeshherë i drejtoheshin njëri-tjetrit me fjalën “garip”, ndërsa në vend të emrit të qytetit të Ternit përdronin emrin e Milotit.

Pjesa më e madhe e të ardhurave, që sigurohej nga aktiviteti kriminal i bandës, dërgohej në Shqipëri, ku anëtarët e bandës ose kishin ndërtuar vila lulsoze dhe aktivitete biznesi, ose ishin në ndërtim e sipër. Policia italiane shpreson dhe në bashkëpunimin e policisë shqiptare për të realizuar sekuestrimin nga shteti shqiptar të këtyre pasurive të siguruara nëpërmjet veprimtarisë kriminale.

Pritet, që të shtunën policia italiane të japë më shumë hollësi për këtë bandë, gjatë një konference shtypi.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/