19 dhjetor 2014 –  Karabinierët e qytezës së Garlaskos (Garlasco) 35 Km. larg Milanos arrestuan dy hajdutë shqiptarë, menjëherë sapo kishin vjedhur arturina në një vilë në qytezë. Shqiptarët e arrestuar janë Andrin Teluli, 24 vjeç dhe Etmir Ndoja, 22 vjeç.

Ndonëse në moshë të re, të dy hajdutët kanë disa precedentë penalë në Itali. Andrini, gjithashtu në vitin 2011 është arrestuar nga policia e Lezhës për një vjedhje të kryer në Laç në vitin 2010. Karabinieria i konsideron dy shqiptarët si “Arsen Lupenë” të vërtetë, shumë të aftë jo vetëm si vjedhës, por edhe në maskimin që bënin për të mos rënë në sy.

Në rastin e fundit, Etmiri që shërbente si roje jashtë vilës bënte vrap të lehtë dhe ushtrime gjimnastikore për tu hequr si fiskulturist dhe për të mos rënë në sy si hajdut. Gjithsesi karabinierët, jo vetëm i arrestuan dy hajdutët, por gjetën edhe arturinat e vjedhura në vilë, të cilat i kishin futur poshtë një veture AUDI Q3, e cila rezultoi e vjedhur po prej tyre në 1 dhjetor në një qytezë afër Milanos.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/