19 nëntor 2014 –   Karabinierët e qytezës së Lavanjës (Lavagna) afër Gjenovës para 2 ditësh ( të hënën në 17  nëntor 2014), arritën një sukses të pazakontë. Ata arrestuan  bosin e drogës Klodian Veizin, 28 vjeç. Klodiani i fshihej drejtësisë italiane, por edhe “kolegëve” në biznesin e drogës. Ai punonte pa likujdim në furnizimin me shumicë të kokainës. Ofronte sasi të konsiderueshme kokaine të cilësisë së lartë pa parapagim, por nëse më vonë nuk paguheshin paratë e drogës nga personi, që kishte marrë kokainën pa likujdim, fillonin kërcënimet me armë dhe në rast se përsëri nuk paguhej kokaina të ikte koka. 

Bashkë me Klodianin u arrestua edhe Enkelejda Çota 36 vjeçe, e cila në fund të viteve 90-të ishte përfshirë në një aferë të gjerë prostitucioni, ku të paktën 2 prostituta shqiptare u masakruan nga protektorët e vet po shqiptarë, se refuzonin të vazhdonin punën si prostituta. Në banesën, ku strehohej Klodiani u arrestua edhe Migen Selmanaj, 28 vjeç. Në banesë u gjetën 200 gramë kokainë e pastër si edhe 2 pistoleta, një pushkë dhe  64 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Tashmë, banda është komplet në burg, sepse Fatjon Lloji, 28 vjeç anëtar i kësaj bande gjendet në burg, që në pranverën e vitit 2014.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/