Një shqiptar është arrestuar në Itali me akuzën e dhunës seksuale dhe përndjekjes së një gruaje ukrainase. Agjencia italiane e lajmeve ANSA raporton se policia e Bolonjës ka vënë në pranga shqiptarin D. C., 35 vjeç. Ai akuzohet se ka abuzuar seksualisht dhe ka përndjekur një 44-vjeçare ukrainase, e cila punon si kujdestare e një të moshuari. Gruaja ka denoncuar dhunën e ushtruar disa herë ndaj saj, madje edhe në Ditën e Gruas, më 8 mars.
Sipas denoncimit të gruas, identiteti i të cilës mbetet anonim, ajo nuk ka pasur asnjë marrëdhënie sentimentale me 35-vjeçarin shqiptar. Ajo është shprehur se janë njohur kohë më parë nga miq të përbashkët, ndërsa në dhjetor të vitit të shkuar ai e ka përdhunuar dhe i ka thyer kockën e hundës. Një episod tjetër ka qenë ai i 17 janarit, kur 35-vjeçari e ka mbyllur në banjë dhe e ka rrahur, ndërsa më 8 mars ka tentuar t’i hyjë në shtëpi me dhunë dhe e ka qëlluar me një vazo.