8 mars 2014– Një 43-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Gëzim Bullari është arrestuar në Itali. Ai kërkohej prej 10 vitesh, pasi akuzohej se ka qenë pjesë e një organizate kriminale, e cila merrej me prostitucion . Shtetasi shqiptar, i cili ishte edhe kreu i organizatës, i sillte femrat në Itali nëpërmjet Durrësit, me premtime nga më të ndryshmet. 43-vjeçari është arrestuar në aeroportin e Fiumiçinos, ndërsa për të kishte një urdhër arresti ndërkombëtar. Gjatë hetimeve është zbuluar se 43-vjeçari, në bashkëpunim me disa italianë, bënte martesa të rreme, me vajza kryesisht adoleshente, për të fshehur aktivitetin e tij kriminal. Në shumë raste vajzat janë detyruar të prostituojnë pa marrë parasysh gjendjen e tyre shëndetësore. Shpesh ato privoheshin edhe nga ushqimi. 43-vjeçari do të kryejë dënimin e tij, të marrë në mungesë, prej 16 vitesh burg.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/