DURRËS, 9 maj 2014 –  Autoriteti Portual Durrës sha është përfaqësuar në takimin e radhës të projektit ADB Multiplaform (Platforma multimodale Adriatik-Danub-Deti i Zi), zhvilluar në Bari (Itali) nga data 6-7 maj 2014, në mjediset e Autoritetit Portual Bari, njoftoi zyra e shtypit e drejtorisë ekzekutive të kompanisë publike APD sha.

Për sa i takon përfshirjes së portit të Durrësit, projekti fokusohet në krijimin e sistemeve informatike me qëllim ndërtimin e një sistemi për menaxhimin dhe kontrollin dhe gjurmimin e trafikut të mallrave (e-customs) ndërmjet porteve të Barit, Durrësit dhe Tivarit duke zgjeruar sistemet ekzistuese të përpunimit të informacionit të zhvilluar më parë midis këtyre porteve; zgjerimin e sistemit të kontrollit të trafikut të mallrave të rrezikshme duke shtuar opsionet  e gjurmimit / ndjekjes dhe ato të tregimit të rrugëve të lëvizjes së mallrave; rritjen e bashkëpunimit në koordinimin e përpjekjeve për një transport më të sigurt multimodal midis porteve të Barit dhe Durrësit duke përfshirë operatorë të transportit rrugor, menaxhere të infrastrukturës dhe autoritet lokale.

Takimi i radhës do të mbahet në Tiranë.

Info

Titulli i projektit: Adriatic-Danube-Black Sea multimodal platform (Platforma multimodale Adriatik-Danub-Deti i Zi)

Financimi: Programi i Bashkëpunimit Transnacional të Evropës Juglindore

Partner kryesor: Rajoni Autonom i Friuli Venezia Giulia, Itali

Numri i partnerëve të projektit: 23

Numri i vëzhguesve të lidhur dhe: 17 partnerë strategjikë të asociuar, 3 partnerë vëzhgues

Kohëzgjatja e projektit: 30 muaj (2012-2014)

Buxheti total i projektit: 5 646 970 euro

Shuma e bashkë-financimit nga BE-ja: 4 799 924,50 euro (85 përqind)

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/