DURRËS, 2 korrik 2014 – “Binjakëzimi me Durrësin mund të jetë një rast i mirë për ju sipërmarrësit, për të investuar, shkëmbyer njohuri dhe aftësi”, – kështu u tha biznesmenëve të zonës kryebashkiaku i qytetit italian Bitontos Michele Abbaticchio, në një takim pasditen e 1 korrikut 2014, i cituar nga gazeta vendore “Da Bitonto”.
Sikurse ka bërë të ditur “Dyrrah”-u (shih: http://www.durreslajm.com/politike/binjakezimi-durres-bitonto-delegacion-italian-ne-qytetin-bregdetar) më 24 qershor 2014, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e bashkisë së Bitontos Michele Abbaticchio, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Durrës. Kryetari i bashkisë së Bitontos, qytet në afërsi të Barit Itali, ka ardhur në Durrës i shoqëruar edhe nga kreu i këshillit bashkiak Vito Palmieri si dhe zyrtarë të tjerë.
Kreu i bashkisë së Bitontos erdhi në Durrës pas vizitës më 24 prill 2014 që Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në Bitonto, ku ka nënshkruar një marrëveshje që do t’i hapë rrugë binjakëzimit të Durrësit me qytetin e Bitontos në Itali (shih: http://www.durreslajm.com/politike/drejt-binjakezimit-durresi-dhe-bitonto-vangjush-dako-merr-mirenjohja-e-qytetit; http://www.durreslajm.com/politike/fotolajm-durresi-pike-referimi-per-te-huajt).
Takimi me sipërmarrësit e zonës industriale, më 1 korrik 2014, ishte për kryebashkiakun Michele Abbaticchio, rasti për t’u ilustruar të pranishmëve rezultatet e vizitës së tij të fundit në qytetin shqiptar, ku, së bashku me kryetarin e këshillit bashkiak Vito Palmieri, u takua me kryetarin e bashkisë Vangjush Dako. Qëllimi i këtij takimi kishte të bënte me përcaktimin e aspekteve të binjakëzimit të Bitontos me Durrësi dhe vlerësimin e zhvillimit të marrëdhënieve tregtare, politike dhe turistike.
“Shqipëria është një vend i hapur për rritjen e investimeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, – komentoi z. Abbaticchio – Ata kanë nevojë, ndër të tjera, për njerëz, të cilët mund të bëjnë kualifikime të personelit vendor”.
Entuziazëm manifestoi edhe Vincenzo Marinelli, President i Komitetit të Zonës Artizanale, që nënvizoi mundësitë që mund t’u hapen sipërmarrësve të Bitontos dhe për shkak të afërsisë gjeografike.
“Shfaqëm gatishmërinë për të hapur një zyrë në Durrës për lehtësimin e dialogut midis biznesit italian dhe shqiptar, dhe për të favorizuar komunikimin me institucionet vendore, po ashtu dhe në Bitonto” – ka njoftuar qytetari nr. 1 i Bitontos, z. Abbaticchio.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





