Policia Rrugore i vendos shqiptarit gjobën rekord prej 7 000 euro. Mediat italiane raportojnë se kjo nuk është aspak një shaka, por një ngjarje e vërtetë dhe i ka ndodhur një shqiptari që jeton në Montemurlo, Prato, në Itali.
Siç shkruajnë mediat italiane, bëhet fjalë për një 29-vjeçar shqiptar, i cili është kapur duke udhëtuar me një makinë pa dokuemte, ndërkohë që edhe vetë ai nuk kishte patentë. Ai fillimisht ishte gjobitur për dy shkeljet e kostatuara.
Ndërkohë, për fatin e tij të keq, vetëm pas pak ditësh, ai është ndaluar sërish. Gjatë kontrollit kishte dalë se siguracioni i makinës kishte skaduar. Kjo ka bërë që ai të ndëshkohet sërish, dhe këtë herë me dyfishin e gjobës. Për më tepër, ai sërish ishte kapur pa patentë, duke e çuar shumën e gjobës në afërsisht 7 000 euro.
Mediat italiane theksojnë se nëse ai e paguan gjobën brenda pesë ditësh, vlera e saj bie në 4 000 euro.