1 mars 2014 – Në 23 dhjetor 2013 në Itali hyri në fuqi dekreti “Boshatisja e burgjeve”. Nëpërmjet këtij dekreti synohej që një numër jo i vogël të burgosurish të dilnin nga burgu duke iu nënshtruar dënimeve alternative. Një nga këto dënime ishte arresti shtëpiak pa pasur nevojë për t’u ruajtur me polic në derë të shtëpisë. U vendos që në fillim në mënyrë eksperimentale të burgosurit me arrest shtëpie t’u vendosej një byzylyk elektronik i pajisur me GPS. Ky byzylyk jep menjëherë alarmin nëse i burgosuri me arrest shtëpie largohet nga banesa apo e heq byzylykun me dhunë. Në këtë rast të burgosurit i revokohet arresti i shtëpisë dhe kthehet menjëherë në qeli.
Për herë të parë kjo metodë ultra moderne u përdor në burgun “San Pio X” të Vincencës (Itali). I burgosuri i parë, që do mbajë byzylykun elektronik, është shqiptari Xhemal Boni, 35 vjeç, i cili gjendej në burgun e Vincencës, që në tetor 2013. Xhemali ishte arrestuar si një nga hajdutët e së ashtuquajturës “Banda e diskotekave”. Xhemali ishte akuzuar bashkë me “kolegët” e tij ish policë privatë të kompanisë “Pantera” për grabitje, armëmbajtje pa leje, plagosje e lehtë dhe riciklim parash të vjedhura.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





