Një çift shqiptar përfundoi në prangat e policisë së Veronës në Itali, pasi u kapën me 4 kg kokainë të pastër. Droga ishte e ndarë në formën e tabletave me stampën me mbishkrimin “King”. Në banesën e çiftit shqiptar në Reggio Emilia janë gjetur edhe 110 mijë euro cash dhe një pistoletë tip “Glok 45” me 19 plumba.

Vetën pak kohë më parë, çifti shqiptar ishte ndaluar nga policia italiane për një kontroll rrugor rutinë, teksa në automjet u janë gjetur 88 mijë euro, para të cilat çifti nuk ka mundur t’i justifikojë prejardhjen. Hetimet e policisë italiane kanë zbuluar jetën luksoze të tyre dhe pse të dy rezultonin të papunë. Kontrolli policor në banesën e çiftit shqiptar ka çuar më pas në zbulimin e sekuestrimin e lëndës narkotike, parave euro e armës, e cila qe fshehur mes veshjeve intime në dollapin e rrobave të vajzës.

Policia italiane ka deklaruar se do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e plotë të prejardhjes së drogës e mënyrës së trafikimit të saj.