ITALI, 25 shkurt 2013 – Ndërsa qendrat e votimit në të gjithë Italinë u mbyllën në orën 15.00, në mediat italiane kanë nisur të publikohen rezultatet e para bazuar në Exit Polle të ndryshme. Agjensia e lajmeve ANSA raporton se rezultatet e para për zgjedhjet parlamentare në Itali tregojnë një avantazh të koalicionit të qendrës së majtë që udhëhiqet nga Pier Luigi Bersani.

Sipas Exit Poll-eve lideri i së majtës Bersani ka arritur të mbledhë rreth 35% të votave për dhomën e deputetëve, ndërsa pas tij vjen koalicioni i Silvio Berluskonit me 29%, ndërkohë që Beppe Grillo dhe partia e tij 5 yjet deri tani arrin të marrë deri në 19% të votave. I fundit në listë renditet koalicioni i kryeministrit në largim Mario Monti me vetëm 7-9%.

Ndërkohë në Senat ka një rezultat mjaft të ngushtë mes të majtëve dhe të djathtës së Berluskonit. Partia e ish kryeministri italian mendohet të ketë mbledhur 31% të votave për në Senat, ndërkohë e majta rreth 29%. Beppe Grillo renditet në vend të tretë me 29.5% dhe Mario Monti me 9.6%. gjithsesi këto janë rezultatet paraprake dhe pritet të ndryshojnë në orët në vijim.

Zgjedhjet e përgjithshme në Itali shihen si substanciale për problemet ekonomike që po kalon vendi si edhe për vetë eurozonën. Ato u mbajtën dy muaj para datës së parashikuar pasi Berluskoni tërhoqi mbështetjen për qeverinë teknokrate të Mario Montit.

Shumë parashikojnë që Bersani, ish-komunist, do të kërkojë të formojë koalicion me Montin nëse nuk arrin të fitojë shumicën e nevojshme. Koalicioni i cili do të formojë qeverinë duhet të kontrollojë të dy dhomat e parlamentit talian.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/