8 mars 2014– Karabinierët e Provincës së Vincencës arrestuan Ferdinand Rançin, 46 vjeç dhe denoncuan në gjendje të lirë të dashurën e tij ukrainase 36 vjeçare. Ai u kap në flagrancë ndërsa po shiste tre doza kokainë me peshë 2 gramë. Gjatë kontrollit të banesës, karabinierët gjetën 45 gramë kokainë dhe 180 gramë substancë përzjerëse. Në garazhin e banesës u gjet një veturë e shtrenjtë, tip BMW e vjedhur në dhjetor 2012 në qytetin e Breshias.
Karabinierët dyshojnë se shqiptari dhe e dashura e tij ukrainase merreshin dhe me fallsifikim dokumentash, sepse në banesën e tyre u gjetën edhe 32 fotokopje dokumentash të shqiptarëve të ndryshëm me leje qëndrimi në Itali. Po studiohet përmbajtja e 5 flesheve USB dhe 50 kartave SIM, që gjithashtu u gjetën në banesën e Ferdinandit. Shpresohet që në to të ketë të dhëna interesante për aktivitetin e 46 vjeçarit Rançi.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





