DURRËS, 24 shkurt 2014 – Futbollisti durrsak Arbiz Gëzim Alushi është federuar më 10 shkurt 2014 në Salerno. Federimi i tij ka zgjatur pak, pasi kishte problem me certifikatën e lindjes për një gabim emërtimi të qytetit të lindjes, Durrësit. Ish-nxënësi i shkollës 9-vjecare “Bajram Curri” e ka pasur që në fëmijëri pasion futbollin, madje ai është shquar mjaft në artin e zhonglimit të topit me kokë dhe me këmbë. Ai është larguar që në moshën 14-vjeçare nga Shqipëria në drejtim të Italisë, ku dhe ka vijuar të studiojë, por edhe të luajë futboll me klubet e ndryshme të të rinjve të Apenineve. Babai i tij tregon se, që para se të shkonte atje, ai ka luajtur futboll që i vogël me “ Tropikal”-in, si dhe me skuadra zinxhir të “Teutës”. Në “Çizme” ka vijuar të luajë me “Paramilianon” me të rinjtë dhe skuadrën “Lodiveko” të rriturit dhe me “Salerno”-n, ku ndodhet edhe tani. Në kampionatin e fundit ai është shquar si golashënues, duke realizuar rreth 18 gola. Inspektori i klubit, Roberto Bizini (në foton e fundit, së bashku me të atin e Abrizit, Gëzimin), e ka vlerësuar mjaft për shpirtin sulmues që e karakterizon. Por e këshillon të jetë më pak gjaknxehtë. I ati, Gëzimi, tregon se ai vazhdon të stërvitet dhe të rrisë gradualisht edhe nivelin e zhonglimeve, pasionin e hershëm të tij, si për zhonglimet me kokë ashtu edhe për zhonglimet me këmbë. Ai e mban topin ne rreth 2 000 zhonglime me kokë dhe rreth 4 000-5 000 me këmbë. Është mjaft i përgatitur fizikisht dhe si atlet. Mjafton të përmendim faktin që ai e realizon 100-metërshin me vrap në rreth 11 sekonda, gjë që i jep mjaft përparësi në luftën e tij në ndeshje në kërkim të golit, duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë të ekipit të vet. Ai luan kryesisht në sulm, dhe tashmë shquhet si lojtar sulmues i krahut të majtë. Inspektori i sportit Roberto Bizani e ka cilësuar si futbollist me të ardhme.
Info
Arbiz Alushi ka lindur ne qytetin e Durresit më 4 prill 1989. Në Durrës ka mbaruar arsimin 9-vjeçar, ndërsa në Itali ka vijuar studimet për marketing. Në një komplet fotografish që disponojmë ai shquhet në pozimin në fushën stërvitore i mbeshtjellë me flamurin kombëtar të Shqipërisë.
/Mark Brunga për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”/





